Veshja e gruas myslymane

Kjo veshje përbëhej nga këmisha e gjatë deri në gju me mëngë shumë të gjera prej mëndafshi ose faqelli të bardhë. Këmishat qëndiseshin nga vetë gratë me fije ari e laxhyhera, ose me mëndafsh, ose me tel argjemdi në mëngë e në grykë.

Mbi këmishë vishej një jelek i ngushtë kadifeje ose kumashi të kuq, qëndisur dendur, i mbërthyer në gjoks me katër komça, ai qëndisej vetëm me tertil ( fijeari) dhe me laxhyhera (temina). Sipër jelekut vishej anteria prej kadifeje, një formë xhakete me mëngë të çara deri te llërët, edhe kjo qëndisej me gajtana e tehria ari, në kapakët e parmë e në mëngë. Në pjesën e poshtme të trupit visheshin branavekët, që janë të prerë mjaft gjerë.

Ato punoheshin prej kumashi të çelët me lule. Në bel ato lidheshin me një lloj ushkuri të gjerë, kurse në fund mbërtheheshin prej komçave në formë kambalesh të punuara prej copes së jelekut e të qëndisura rëndë me të njëjtin material për tu dukur më të fryrë, nën branavekë vishej fista, e ngjashme me branavekët prej faqelli të bardhë me rrudha e qemer të gjerë katër gisht. Në brez gruaja mbante një shall kashmiri ose mëndafshi me vija shumëngjyrëshe e me thekë në dy cepat. Sipër jelekut e anterisë vishej xhybeja, një mantel i gjatë deri në gju, punuar prej cope të kuqe, më rrallë në të kaltërt. Ajo ishte e qëndisur dendur me fije ari, shirita e gajtanë po prej ari. Kjo ishte një pelerine shumë aristokrate dhe e kushtueshme. Në kokë vendosej dallfesi, një lloj kësuleje e vogël e kuqe, zbukuruar me xhufkë ari. Kjo mbajtëse e flokëve fiksohej prej një shamie të hollë mëndafshi që mbulonte kokën. Në këmbë mbathnin corape të holla leshi dhe pashmange (papuçe) të punuara me copë e me shuall, e të qëndisura me mëndafsh, fije ari, laxhyhera. Më vonë hynë në përdorim çizmet me taka të larta e me qafë kadifeje, të qëndisura gjithashtu me fije ari. Kur dilte në rrugë nusja mbulohej me duvak të kuq, kurse gratë në përgjithësi dilnin të mbuluara prej binishtit, një lloj pelerine prej cope ngjyrë blu të qëndisur anash. Veshja shoqërohej me stoli të shumta e të kushtueshme. Poshtë dallfesit më herët vihej edhe perishani, një lloj diademe në forme luleje të krijuar nga një rrjet inxhish (korale). Pastaj në qafë varej vargu i inxhive që zbrisnin deri në brez, si dhe rreshtat e dupeve të arta që shkonin nga 10 – 30 copë.