Veshja e burrit mysliman

Pjesa më karakteristike e kësaj veshjeje të burrave myslimanë është fistani, një fund i gjërë me pala, prej pëlhure pambuku me ngjyrë të bardhë. Ai ngjeshej për mesi dhe zbriste poshtë këmbëve deri në pulpë.

Kjo veshje përvec fistanit, kishte element të tjerë të rëndësishëm: në pjesën e poshtme të trupit, nën fistan burri mbante të linjtat e gjata prej pëlhure pambuku, mbi këto nga gjuri e deri në këpucë mbërtheheshin dyslleqet, kallcinj prej cope të qëndisura hijshëm. Pastaj një këmishë e gjatë deri në kërdhokla prej pëlhure të mëndafshtë, mëngët e këmishës ishin të gjata deri në kycin e dorës, të prera mjaft gjerë. Përmbi këmishë vishej anteria e bërë prej cope importi në bojë tulle, e cila qëndisej me gajtana të zezë në pjesën e sipërme të kapakëve të mëngës, dhe ndër dorca anteria pritej me kapakë të kryqëzuar, me grykë të gjerë e mëngë të çara. Te brryli ajo qëndisej me gajtana mëndafshi ari e zbukurohej me motive floreale e kozmike. Në anë të kapakut kishte të qepura katër deri në tetë sumbulla (komçe) mendafshi me nga një merxhan (koral) në majë. Përmbi anteri vishej xhamadani dykapakësh, pa mëngë, i qepur në copë të kuqe të ndezur, ku varen sumbullat prej ari dhe argjendi të punuar me teknikën e filigranës. Sipër kësaj veshjeje hidhej jeleku edhe ky pa mëngë, por ky i hapur përpara aq shume sa qe lejonte të dukeshin mjaft mirë zbukurimet e arta të xhamadanit ndonëse në të dy kapakët kishte të qepura nga një rrjesht sumbullash prej bronzi që numëroheshin 30 deri në 40 copë. Ata nuk e mbërthenin asnjëherë, rreth mesit mbështillej disa herë brezi i leshtë, i kuq ose prej mëndafshi vija-vija e me thekë. Në dimër përsipër hidhej dhe dollameja e punuar prej cope të kuqe, blu ose bojë uthulle. E qëndisur anës dhe e gjatë deri në gju. Në këmbë burrat mbanin këpucë lëkure të kuqe me llapë e majë të rrumbullakët sipër brezit mbërthehej silahu prej lëkure i armëve, gjoksin e përshkonte diagonalisht qosteku i artë ose i argjendtë i sahatit, fesi “Tanes” që ishte një kësulë e vogël e rrafshët e punuar prej cope të kuqe me një tufë të mëndafshtë ngjyrë blu që zbriste deri në shpinë, kompletonte këtë veshje hijerëndë e madhështore.