Veshja e gruas katolike

Kjo veshje përbëhet nga këmisha e gjatë deri në pulpë të këmbës, mëngët e gjera dhe e hapur në gjoks. Në pjesën e poshtme të trupit grate vishnin branavekët prej pëlhure të shndritshme ngjyrë violet ose patllixhan.

Në prehër nga brezi deri poshtë varej armaci, një copë e prerë afërsisht në formë pesëkëndëshi sa një shuplakë dore, qëndisur me mëndafsh bojë uthull. Kamçat duhej patjetër të mbulonin këmbën deri te nyja, sipër këmishës vishej jeleku që mbërthehej poshtë gjoksit, me anë të fudullave, dy pafta prej argjendi, të punuara me filigramë, jeleku në dy anët e kapakëve kishte të qepur 20 ose më shumë sumbulla të punuara me pe mëndafshi ngjyrë uthull me nga një merxhan të kuq në majë. Sipër jelekeut vihej anteria, punuar në cope të kuqe me vija të bardha, qëndisur me gajtana mëndafshi të zi.

Ajo rrinte e hapur në gjoks, duke lejuar të dukeshin fudullat e jelekut. Mëngët e anterisë ishin të çara deri afër brrylit, ku ishin të qepura 5 – 6 sumbulla prej mëndafshi. Në mes mbështillej shalli ( brezi) i mëndafshtë shumëngjyrësh e me thekë në cepa. Për mbi anterinë pastaj vishej xhybeja pa mëngë ngjyrë uthull e gjatë deri në gju. Në këmbë mbanin corape prej pambuku të bardhë e papuçe të zbukuruara me fije ari e mëndafshi. Mbi kokë vendosej sallmani (trajtë diademe) i lidhur me një lidhës mëndafshi, e i qëndisur me ar e laxhyhera. Përmes disa gjilpërave aty lidhej degërmia e bardhë e transparente, edhe kjo e qëndisur me lule mëndafshi të bardha e fije ari.Kur dilnin në rrugë, gratë vinin mbi kokë mahramën që mbulonte kokën, duke lënë të zbuluar vetëm një pjesë të fytyrës. Mbi këtë veshje gratë hidhnin japanxhën, një lloj manteli treçereksh prej cope të kuqe, prerë në trajtë rrethi dhe i mbuluar te jaka e gjerë e në mëngë me qëndisma prej mëndafshi me ngjyra portokalli, të verdhë, të bardhë, të kuqe, jeshile, etj. Përveç ngjyrave e qëndisjes së dendur me gjilpërë, ajo që të bie më shumë në sy janë motivet jashtëzakonisht të pasura floreale e zoomorfe e të kombinuara mjeshtërisht. Nga jaka i varen thekë të gjatë mëndafshi shumëngjyrësh që bien mbi krahë e supe. Ajo është e pajisur edhe me një kapuç të prerë në formë katrori. Nuset e reja vinin përpara bohçe harkate deri në gju dhe në anën e djathtë të brezit varnin shaminë me lule të stampuara.