BIBLIOTEKA

Biblioteka e Muzeut Historik të Shkodrës që në themelimin e saj u ka shërbyer jo vetëm punonjësve të brendshëm, por edhe bashkëpuntorëve të tij e studjuesve të tjerë të jashtëm.

Ajo ka arritur të sigurojë një fond relativisht të pasur që mbulon të gjitha fushat e Albanologjisë, por edhe literaturë të autorëve shqiptarë e të huaj, në shumë gjuhë të botës, duke numëruar rreth 15.000 tituj.

Librat më të vjetër i përkasin shekullit XVII, ku mund të përmendim librin “Dottrina Christiana” të P.Budit (1618), libri “Istoria di Giorgio Castrioto detto Scander – Begh” i G.Biemm-it (1742) etj.

Një vend të veçantë zënë koleksionet e librave, revistave e gazetave periodike që nisin nga fundi i shek XIX.

Fondi prej mbi 2000 vëllimesh i bibliotekës të familjes “Pipa” dhuruar Muzeut Historik të Shkodrës, ia ka rritur edhe më shumë vlerat kësaj biblioteke. Sidomos me koleksionet “Albania” të F.Konicës dhe “Shejzat” të E.Koliqit.