Në vazhdim të proçesit të dixhitalizimit dhe rritjes së shërbimeve ndaj publikut online dhe të interesuarve në fushën e studimeve historike  Arkivi i Muzeut Historik Shkodër,  fillon prezantimin e disa materialeve ne format digjital me fotografi dhe citim pershkrues si: dokumente, objekte historike dhe vepra arti.Kjo menyrë pune do jetë e vazhdueshme në funksion të së cilës mirpresim edhe sugjerime të mundshme.

Këtë radhë, për të shtuar njohuritë mbi historikun e qytetit të Shkodrës dhe funksionimit të institucioneve të para bashkiake, Ju paraqesim disa dokumente te viteve 1913, 1916-1918 që flasin për mënyrën e organizimit dhe administrimit të jetës qytetare  atë kulturore dhe shërbimeve që kryheshin asokohe me qëllim; përmirësimin e cilësisë së jetës banorëve dhe mënyrës si funksiononte administrata, kryesisht pas shpalljes së Pavarësisë dhe viteve te para të shtetformimit.

Konceptoi Anelmo Spahija

Arkivi i Muzeut Historik Shkodër

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Një periudhë mjaft e rëndësishme e zhvilimit institucional të Shkodrës shënon periudha 1916-1918, që përkon me zhvillimet e Luftës së Parë Botërore dhe vendosjen e trupave austro-hungareze ne qytet. Megjithatë, pavarësisht gjendjes së luftës dhe vendosjes së ushtrive të huaja, zhvillimi i veprimtarive ekonomike e institucionale të qytetit vazhdoi në mënyrë të pandërprerë, Për këtë mund të përmendim dy arsye kryesore, që lidhen me apektin strategjiko-ushtarak dhe atë politik. Së pari, rajoni i Shkodrës dhe i Shqipërisë veriore, ndyshe nga krahinat e jugut nuk përfaqësonte një front të drejtpërdrejtë luftimesh. Arsyeja e dytë e këtij zhvillimi të pandërerë mund të gjendet tek vetë lidhjet kulturore e politike që Ballplatzi kishte vendosur me Shkodrën në veçanti apo me Shqipërinë veriore në përgjithësi.

Mënyrën e funksionimit të rregullt të institucioneve bashkiake në këtë periudhë e vemë re përmes dokumenteve të zyrave të financës ku shënohen në mënyrë të rregullt borderotë e pagesave për punonjësit dhe funsksionarët, duke filluar që nga ata më të ulëtit (tellall bashi, odaxhi, shërbëtor i urës së Bahçallëkut dhe asaj të Bunës) e deri tek nëpunësit e lartë të Financës (drejtor, kontrollor, Sekretar, arkëtar etj) dhe Bashkisë. Një rëndësi të madhe paraqet lista e dyqaneve dhe bizneseve të Shkodrës e vitit 1917. Sipas këtij regjistrimi, Shkodra shfaqet me 118 pijetore e kafeteri, të gjitha të shënuara me emrin e tyre, emrin e pronarit, taksën që duhet të paguhet si dhe vendodhjen e pijetoreve, të përqëndruara kryesisht ne Rrugën e Madhe, por edhe në rrugë e lagje të tjera të qytetit të shënuara në mënyrë të detajuar si Franz Ferdinand, Parrucë, Serreq, Dervish Beg, Fushë Çelë, Rruga e Doganës etj. Megjithatë vendin qendror e zë regjistrimi i dyqaneve dhe bizneseve, të ndara sipas hapësirës që zënë dhe tarifës për tu paguar, në tre klasa. Në këtë vit, sipas regjistrimit në Shodër kishte 1488 dyqane, të listuara secili me emrin e pronarit, llojin e zejes apo të punës që kryejnë, hapësirën që zënë, vendodhjen si dhe tarifën për tu paguar. Mund të përmendim dyqanet e simitçijve, bakallëve, kallajxhijve, duhanxhijve, sahatçijve, rrobaqepësve, kundraxhijve, barnatorve, këpucarëve etj. Ndër të tjera, shfaqet i regjistruar në numrin 48 edhe emri i Kel Marubit, “fotografist”, “Rruga e Madhe”, që duhet të kryente pagesën prej 20 korona. Nga këto të dhëna mund të deduktojmë një zhvillim normal e të pandërprerë të veprimtarive ekonomike të qytetit.

Konceptoi: Anelmo Spahija

Arkivi i Muzeut Historik Shkodër