ZEJET
Tregtia e brendshme shqiptare në shekullin XVIII eci në rrugën e formimit të tregjeve të mëdha ndërkrahinore, nëpërmjet forcimit të qendrave zejtare-tregtare dhe të tregjeve më të vogla lokale. Në këtë periudhe Shkodra filloi të merrte një zhvillim të madh, duke u kthyer në një metropol të vërtetë zejtaro-tregtar në rajon e më gjerë. Në Shkodër punohej metali për prodhimin e armëve, të veglave të punës dhe të orendive shtëpiake. Shkodra njihej për prodhimin e kambanave dhe farkëtarët (ferrarii), që përveç Shkodrës gjendeshin pak a shumë në çdo qytet të Shqipërisë.
Në muze jane të ekspozuara orendi druri me gdhendje si rafte, tryeza, karrige, elementë dekorativë të interiorit të banesave, me motive gjeometrike, floreale e zoomorfe. Gjithësejt ruhen rreth 35 objekte të tilla.
Enë të përdorimit të përditshëm, si kupa, pjata, tepsi,enë uji,etj, tangarë zjarri, të punuara në dru, qeramikë, porcelan, metale etj. Ato i përkasin jetës së fshatit, kryesisht asaj baritore si dhe asaj qytetare. Prej tyre ruhen rreth 120 objekte në Muzeun Historik të Shkodrës.
Objekte prej guri, elementë të arkitekturës së jashtme të shtëpive qytetare, si gryka pusi, lugje, enë masive depozitimi, pjesë arkitekturore banesash etj, të gdhendura me motive interesante e me forma origjinale, janë po ashtu pjesë e fondit të muzeut. Një vend të rëndësishëm zënë dhe veglat e punës së mjeshtrive të ndryshme, të kovaçit, argjendarit, lëkurëpunuesit, bakërpunuesit, drugëdhëndësit, armëpunuesit, etj.