ARTIZANATI

Artizanati shkodran është i pasur si nga begatia e shprehjes artistike, ashtu edhe nga numri i llojeve të objekteve të punuara, të cilat kanë qenë jo vetëm mjete të plotësimit të nevojave të përditshme jetësore, por dhe shpirtërore të banorëve të Shkodrës dhe të Bjeshkëve të Nëmuna.

Në historinë e tij 2500 vjeçare, qyteti i Shkodrës krijoi një traditë te rëndësishme në fushën e artizanatit, ku mbarti me vete mjeshtrinë e lartë, individualitetin, fantazinë krijuese, shijet e ndjenjat artistike të kësaj treve. Artizanati shkëlqimin e tij në këtë qytet e shfaqi në mesin e shek. XVIII deri në vitet ‘ 50 – ‘ 60 të shek. XIX, shekull ky, kur Shkodra dominoi ndaj qendrave të tjera të vendit. Në pazarin e saj ajo numëronte 2500 dyqane. Në sokakët e zejtarëve, dyqanet radhiteshin sipas 80 zejeve e profesioneve të ndryshme, ku mjeshtrit popullorë zbukuronin gurin duke i dhënë forma të ndryshme, gdhendnin drurin me ornamente të ndryshme, kalisnin hekurin, qëndisnin me fije ari dhe argjendi veshje të papërsëritshme kombëtare, punonin lëkurat e çdo lloji, stolisnin armët e trimave të lirisë. Terzinjtë e palodhur dhe qëndistarët e talentuar nxirrnin nga duart e tyre riza hijerënda dhe punime të mëndafshta me motive interesante.

Ne Muzeun Historik të Shkodrës ruhen rreth 500 objekte, në një gjendje relativisht të mirë konservimi si tekstile (veshje komplete ose elemente veshjesh, sende mobilimi të ambienteve shtëpiake, si qylyma, perde, mbulesa tryeze, shtretrish, strishe muri, etj.). Në punimin e tyre është përdorur dendur leshi, mëndafshi natyror, pambuku, liri, duke kryer ciklin e plotë të proçesit në vend, sipas teknikave tradicionale, natyrisht në një proçes evolutiv të tyre. Vlen të theksohet se ato shquhen për origjinalitet, dekoracion të pasur, plot simbolikë e kolorit. Në mënyrë të veçantë vlera të rralla artistike përmbajnë veshjet, ku shpesh është përdorur filigrami me nuanca të shumta ngjyrash. Po kështu qëndisjet me dorë të të pëlhurave prej mëndafshi, liri e pambuku të shamive, këllefëve, çarçafëve etj.