ARTET PAMORE
Piktura realiste në Shkodër, që shpërtheu fuqishëm gjatë Rilindjes Kombëtare, lidhet historikisht me këtë hallkë pre-nacionaliste të zinxhirit të historisë sonë (mesi i shek. XVIII deri përpara mesit të shek. XIX) dhe që mund të konsiderohet si lindja e pikturës romantike. Në fillim të viteve ’30, Shkodra kishte padyshim bilancin më të pasur për kontribut në pikturën realiste në Shqipëri. Artistët shkodranë e kishin themeluar atë dhe për më se gjysmë shekulli, njëri pas tjetrit, e kishin udhëhequr zhvillimin e saj. Kontributi i tyre është aq i spikatur, sa kemi të drejtë të flasim për një traditë shkodrane, të shkollësstë pikturës realiste shkodrane.
Një nga themeluesit e kësaj shkolle ishte Kol (Nikollë) Idromeno, i cili njihet si piktori më i shquar realist romantik e më pas, kritik në Shqipëri. Në punimet e shumta të tij me temë biblike, të realizuara në disa kisha të rrethinave të Shkodrës (Ulqin, Salç, Shirokë, Vau i Dejës, etj.), të tilla si Freskat e Kishës Ortodokse të Shkodrës, 1881 (ku shquhet për vlerat sugjestive fragmenti Ferri), figurat janë dhënë me trajtë plastike realiste, të shkëputura tashmë nga stili post-bizantin tradicional. Madje fabula fetare shfrytëzohet nga autori për të goditur ashpër veset dhe plagët e shoqërisë së kohës. Kompozimi i tij i njohur “Dy rrugët”, 1892 (vaj 1, 96 m x 1, 69 m, Gal. Art. Shkodër) materializon me dashuri botën reale, jetën e vërtetë të qytetit dhe krahinës së tij, ndërsa vizioni i botës së përtejme, Ferri dhe Parajsa, në dy ekstremet e tabllosë, është i turbullt, pa theks, pa trajtë dhe gati i pandjeshëm.
Në themel të pikturës realiste romantike shqiptare, krahas Kol Ideromenos u vendosën dhe artistët e tjere shkodranë si Ndoc (Andon) Martini , Andrea Kushi, Simon Rrota, Zef Kolombi, Kel Kodheli, Vladimir Jani etj. Peisazhi me ndjenjën e çiltër të dashurisë, gati naïve, për natyrën dhe portreti i njeriut të thjeshtë, të varfër, i shoqëruar me kritikë realiste për kohën, u bënë tema karakteristike të piktorëve shkodranë të gjatë periudhës post-romantike.
Dy rrugë – Kol Idromeno